Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku mbajti sot një takim me aktivistet gra, asambleistet e zgjedhura nga zgjedhjet e fundit lokale dhe me kandidatet gra në listën e kësaj partie për zgjedhjet e ardhshme.
Këto gra, Abdixhiku i quan të forta, profesioniste, të angazhuara dhe të përkushtuara që i japin politikës frymën e qytetarisë, maturisë dhe të ardhmes.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se bashkë me këto vajza e gra, LDK do ta rikthejë shpresën.
“E ardhmja që duam fillon me to! Forca që na duhet nis me to! Prandaj me gratë aktiviste zgjedhim shpresën!”, tha i pari i LDK-së.
“Në çdo bisedë e në çdo mendim të tyre, pashë një gjë të përbashkët: dashurinë për Kosovën dhe vendosmërinë për ta çuar këtë vend përpara. Me to, rrugëtimi ynë bëhet më i drejtë, më i mençur dhe shumë më i fuqishëm. Jam krenar për secilën prej tyre. Jam mirënjohës për energjinë, idetë dhe besimin që sollën sonte. Kosova ka nevojë për zërin, guximin dhe mendjen e tyre”.
“Me 76 asambleistet e zgjedhura, e me 37 gra kandidate, folëm për angazhim në fushat, për takime me familje e me gra anembanë Kosovës. Gruaja aktiviste duhet të jetë shembull për secilën vajzë të re që ëndërron, beson e jeton në Kosovën me të ardhmen e bukur. Ne do të rikthejmë shpresën bashkë; me gratë në ballë të ndryshimit”, ka shkruar Abdixhiku.
