Abdixhiku: LDK e reformuar dhe e organizuar për zgjedhje

Abdixhiku: LDK e reformuar dhe e organizuar për zgjedhje

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se të gjithë kryetarët e degëve të LDK-së në Kosovë, janë mbledhur në Istog në punëtorinë dy ditore si përgatitje e plotë për zgjedhjet e 9 shkurtit.

“U mblodhëm sot në Istog, tek Iliri, me të gjithë kryetarët e degëve të LDK-së në Kosovë. Lidhja po vjen e organizuar, e reformuar, e unifikuar dhe e gatshme për betejën përpara”, ka shkruar i pari i LDK-së.

Ai ka thënë se përgjatë këtyre dy ditëve, do t’i shtrojnë të gjitha çështjet organizative të Lidhjes Demokratike, nga caktimi shtabeve elektorale, tek përcaktimi i vëzhguesve, komisionerëve e orarit të takimeve që nga tash e deri në fushatë.

“Ky nivel i organizimit, 5 muaj më herët, tregon jo vetëm për vitalitetin tonë organizativ, jo vetëm për unitetin tonë partiak, por dhe për seriozitetin e paraprirjes për garën e ardhshme elektorale. Pas hartimit të programit politik nga nëntori i vitit të shkuar, organizimi ynë struktural bëhet ngjarja më e rëndësishme partiake. I tillë siç ka nisur, ai do të përcillet në nivel nacional tek 887 nëndegët tona në Kosovë e në Mërgatë nga tani deri në fushatë”, shkruan Abdixhiku..

Ai tha se Lidhja Demokratike është gati.

“Me strukturën tonë, njerëzit tanë, idetë e idealet tona të djathta, programin tonë politik ‘Rruga e Re’, përpjekja për një Kosovë siç e kemi ëndërruar gjithherë gjënë alternativën e domosdoshme – dhe të vetme! Prandaj, le ta bëjmë rrugën bashkë”, përfundon kreu i LDK-së Lumir Abdxhiku.

Related Articles