Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ditën e dytë të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ka nisur me takime në Senat.
Abdixhiku bën të ditur se ka takuar Senatorin Christopher Murphy dhe ekipin e tij politik ku diskutuan për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon.
“Biseduam për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe rajon. Edhe në Senat shtrova kërkesën tonë për ngritjen e bashkëpunimit bilateral në mes të Kosovës dhe SHBA-ve nëpërmjet ‘Kartës për Partneritet Strategjik’”.
“Si anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme, Senatori Murphy ka qenë dhe mbetet gjithherë aktiv në rajonin tonë. Në këtë drejtim, kërkesat tona për mbështetje ndaj popullit të Kosovës, institucioneve të Republikës, e aspirstave tona për anëtarësim në aleancën ushtarake të NATO-s, ishin krejt të natyrshme. Po ashtu, në takim u theksua nevoja e bashkëpunimit të ngushtë në fushën e politikës së jashtme, energjetikës e zhvillimit ekonomik” ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Mes tjerash, Abdixhiku thotë se Kosova në vazhdimësi do të kërkojë mbështetjen e Senatit dhe Senatorëve.
“Mbështetja e Senatit dhe Sentorëve nga të gjitha anët, ka prodhuar gjithherë momente historike për vendin tonë. Këtë mbështetje për shtetin tonë vazhdojmë ta kërkojmë në çdo kohë”.