Abdixhiku nderon Rugovën: Po ndjekim rrugën e tij

Abdixhiku nderon Rugovën: Po ndjekim rrugën e tij
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, bashkë me struktura të partisë, kanë nisur ditën e 33-vjetorit të subjektit duke nderuar themeluesin dhe ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.

Abdixhiku deklaroi se Rugova ishte prijës i shqiptarëve në periudhën më të vështirë për Kosovën ndërsa Lidhja Demokratike po ndjek rrugën e tij pasi, siç tha, projekti i tij për një Kosovë në NATO dhe Bashkimin Evropian ende nuk është jetësuar.

“Po shënojmë 23 dhjetorin e vitit 1989 kur burrat e gratë më të mirë të vendit, në kohën më të vështirë të vendit, u rreshtuan prapa Rugovës dhe ndërtuan kështu programin më të madh politik shqiptar të fundshekullit të 20-të, lëvizjen për liri, pavarësi e për demokraci. Rruga e presidentit Rugova, e LDK-së, vazhdon të mbetet e njëjtë, ku projekti i nisur 33 vite më parë ende nuk është i përfunduar meqenëse Kosova duhet të bëhet shtet anëtar i NATO-së dhe BE-së dhe kështu t’i jap përfundim një ëndrre të nisur 33 vite më parë”, deklaroi Abdixhiku.

Sot bëhen 33 vjet nga themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në shtator dhe tetor të vitit 1989, një grup shkrimtarësh dhe intelektualësh, në kohën e shqetësimeve më të mëdha politike dhe shoqërore në Kosovë, u pajtua që të themelonin një parti politike.

Ky grup e caktuan kryesinë e LDK-së me kryetar Dr. Ibrahim Rugova, sekretar Jusuf Buxhovi dhe anëtarë të kryesisë: Dr. Fehmi Agani, dr.Bujar Bukoshi, dr.Ali Aliu, Nekibe Kelmendi, Mehmet Kraja e shumë figura të njohura shkrimtarësh e intelektualësh të asaj kohe.

Related Articles