Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka mbajtur një fjalim më anëtarët e Kongresit të EPP.
Abdixhiku i quan ata anëtarë të familjes politike, teksa ka folur edhe për zhvillimet e fundit të luftës në Ukrainë.Ai thotë se ka qenë dëshmitarë i luftës dhe agrasionit dhe e kupton mirë tmerrin që po e përjeton populli ukrainas.
Abdixhiku thotë se ndjehet krenar për Kosovën që është rreshtuar me frontin demokratik perëndimor në kundërshtim ndaj autokracive që priren të përmbysin rendin demokratik dhe të sigurisë.
Ai thotë se kjo është Kosova që kemi dashur të gjithë.
Abdixhiku thekson anëtarësimin e Kosovës në NATO ku përmend edhe çështjen e dialogut me Serbinë.
“Është gjithashtu jetike që vendi ynë të bëhet anëtar i NATO-s, dhe në të vërtetë të marrë vendin e tij të merituar në bashkësinë e kombeve të lira, duke u bërë një anëtar i plotë i BE-së dhe komunitetit ndërkombëtar.
Republika e Kosovës është angazhuar tash e një kohë të gjatë në dialog me Serbinë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura në mes të të dyja shteteve. Ka ardhur koha për mbylljen e kontestit me fqinjin tonë verior, i cili fatkeqësisht vazhdon të mohojnë realitetin e Kosovës së pavarur dhe sovrane. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja, me mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara, duhet të rezultojë me njohjen reciproke të Kosovës dhe të Serbisë në kufijtë ekzistues. Kjo do të sillte paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Evropë në përgjithësi”, tha Abdixhiku.
FJALIMI I PLOTË I TIJ:
Sot pata nderin e veçantë t’u drejtohem me një fjalë rasti, anëtarëve të Kongresit të EPP, grupacionit më të madh politik në Evropë, e të shtrojë para tyre pikëpamjet tona për Kosovën, rajonin dhe domosdoshmërinë e mbështetjes së shteteve e institucioneve evropiane ndaj Republikës sonë e të ardhmes që synojmë.
FJALIMI IM I SOTËM NË KONGRESIN E EPP
Të nderuar delegatë të EPP,
Të nderuar kryeministra, Presidentë, kryetarë e udhëheqës të partive evropiane,
Anëtarë të familjes sonë politike,
Jemi mbledhur këtu në Rotterdam në një moment kritik për Evropën dhe botën në përgjithësi. Tre muajt e fundit kanë vënë përballë demokracinë kundër tiranisë në vazhdën e agresionit të paprovokuar që Rusia e Putinit po kryen kundër Ukrainës. Demokracitë e mëdha dhe të vogla, të vjetra dhe të reja, po qëndrojnë të bashkuara kundër të keqes që vjen nga Rusia kundër një kombi të pavarur – duke treguar kështu solidaritet dhe vendosmëri, e duke u dhënë shpresë shumë njerëzve në këto kohë të errëta.
Unë i përkas një prej gjeneratave të pakëta evropiane që kanë qenë dëshmitarë të agresionit, luftës dhe spastrimit etnik si pjesë e jetës së tyre. Unë e kuptoj mirë tmerrin e luftës që po përjetojnë aktualisht ukrainasit, disbalancet e fuqive dhe bukurinë absolute dhe ndjenjën e lehtësimit që vjen me mbështetjen ndërkombëtare.
Në orët më të errëta të historisë së Kosovës, në pranverën e vitit 1999, kur Serbia e Millosheviqit bënte luftë e agresion kundër popullit të Kosovës, demokracitë perëndimore na qëndruan pranë. Edhe pse askush nuk mund të rikthejë jetërat e më shumë se 12,000 civilëve të vrarë, nga të cilët 1,000 fëmijë, dhe askush nuk mund të zhbëjë vuajtjet e më shumë se 20,000 grave të dhunuara dhe gjysmës së popullsisë të larguar nga vendi – drejtësia e dhënë popullit kosovar nga NATO, vendet perëndimore dhe aleatët tanë, është vendosur përgjithmonë në vetë themelin e shtetit tonë. Evropa sot e ka për detyrim mbështetjen e fortë për popullin ukrainas, i cili, ashtu si ne 23 vjet më parë, nën dëshminë e terrorit, kërkon pathyeshëm mbështetjen ndërkombëtare.
Si lider i partisë më të vjetër kosovare, Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), një lëvizje e formuar në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova, ati themeltar i shtetit të pavarur të Kosovës, jam krenar të them se Kosova është rreshtuar me frontin demokratik perëndimor në kundërshtim ndaj autokracive që priren të përmbysin rendin demokratik dhe të sigurisë. Kjo është Kosova që e kemi dashur gjithmonë; kjo është Kosova që do ta duam gjithmonë.
Gjatë 23 viteve të fundit të paqes dhe 14 viteve si shtet i pavarur, me mbështetjen e palëkundur dhe ndihmën bujare të miqve tanë, shteteve evropiane, SHBA-së dhe vendeve të tjera anembanë botës, ne kemi rindërtuar strukturën e shoqërisë sonë, kemi ndërtuar një demokraci të qëndrueshme, një vend në paqe me veten dhe me fqinjët e vet. Sot, brezat e rinj të Kosovës – edhe pse padrejtësisht të izoluar dhe në pamundësi të lëvizjes së lirë në Evropë – po lulëzojnë në kërkim të ëndrrave të tyre – siç është edhe vendi në kërkim të integrimit ndërkombëtar.
Paqja e fituar me mund në Ballkanin Perëndimor ka për strumbullar të vetin integrimin e Kosovës dhe të shteteve të tjera nga rajoni ynë në BE. Duke pasur parasysh këtë, Kosova ka aplikuar këtë muaj për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Dhe shfrytëzoj rastin të ftoj çdo anëtar të EPP-së të mbështesë aplikimin tonë të drejtë në Këshillin e Evropës, por edhe në çdo institucion tjetër që shërben si altar i lirisë, demokracisë dhe prosperitetit. Anëtarësimi ynë në Këshillin e Evropës është i natyrshëm dhe kështu duhet të jetë mbështetja për shtetet që mbështesin vlerat e këtij Këshilli.
Është gjithashtu jetike që vendi ynë të bëhet anëtar i NATO-s, dhe në të vërtetë të marrë vendin e tij të merituar në bashkësinë e kombeve të lira, duke u bërë një anëtar i plotë i BE-së dhe komunitetit ndërkombëtar.
Republika e Kosovës është angazhuar tash e një kohë të gjatë në dialog me Serbinë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura në mes të të dyja shteteve. Ka ardhur koha për mbylljen e kontestit me fqinjin tonë verior, i cili fatkeqësisht vazhdon të mohojnë realitetin e Kosovës së pavarur dhe sovrane. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja, me mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara, duhet të rezultojë me njohjen reciproke të Kosovës dhe të Serbisë në kufijtë ekzistues. Kjo do të sillte paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Evropë në përgjithësi.
Në fund të kësaj fjale, të dashur miq të familjes EPP, më lejoni t’ju siguroj se LDK-ja, partia më e vjetër në Kosovë. edhe pse në opozitë, do të punojë shumë për ta mbajtur Kosovën të ankoruar në vlerat euroatlantike, vlerat që kanë mbështetur popullin e Kosovës në kohë të mira dhe të këqija. Ne besojmë shumë se ju do të na qëndroni pranë në realizimin e aspiratave tona origjinale dhe tashmë tradicionale – një shtet pjesë e familjes euroatlantike; një shtet pjesëtar i bashkësisë së kombeve të lira, demokratike dhe prosperuese.
Jam mirënjohës për mundësinë që pata të mbaj këtë fjalë para jush. Ju faleminderit për vëmendjen!
Zoti e bekoftë Evropën!
Zoti e bekoftë EPP-në!