Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një letër dërguar anëtarësisë për fundvit, ka thënë se nga janari i vitit 2024, LDK-ja zbret në çdo anë, në një mobilizim të paparë për një kohë të gjatë.
Sipas tij, viti 2023 ka qenë një vit i jashtëzakonshëm, por viti 2024 do të jetë edhe më i jashtëzakonshëm, raporton Klan Kosova.
“Për ta bërë këtë ndryshim na duhet veprim. Dhe atë menjëherë. Prandaj veten do ta vendosim në terren. Nga janari i vitit 2024, LDK-ja zbret në çdo anë, në një mobilizim të paparë për një kohë të gjatë. Sepse besojmë në veten; besojmë në programin tonë ‘Rruga e Re’; besojmë në Republikën e Kosovës e në orën e ndryshimit që thërret për ne”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
“Viti 2023 ishte një vit i jashtëzakonshëm. E bëtë të tillë. Viti 2024 do të jetë dhe më i jashtëzakonshëm sepse do ta bëni të tillë! Le të ngrihemi si një. Le t’i japim Kosovës të ardhmen që ka merituar gjithnjë!”.
Në fund ai e ka falënderuar secilin për angazhim duke iu uruar një vit me shëndet e me ërkushtim për Lidhjen Demokratike të Kosovës.