Në ditën e gjashtë të fushatës elektorale, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shpalosur programin e saj qeverisës në Prizren. Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, theksoi se LDK ka kapacitetet dhe potencialin e nevojshëm për ta sjellë ndryshimin përmes një programi të qartë dhe të realizueshëm, me fokus të veçantë në mirëqenien e qytetarëve, arsimin dhe zhvillimin ekonomik.
Abdixhiku shtoi se sektori privat do të ketë mbështetjen e merituar, me respektim të plotë të kontratave të punës, ndërsa premtoi investime prej 5 miliardë eurosh në të gjitha fushat.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur fushatën zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, me anëtarë dhe simpatizantë të saj në Prizren.
Kandidati i këtij subjekti politik për kryeministër, Lumir Abdixhiku, tha se është koha për rikthimin e LDK-së dhe për ta çuar Kosovën përpara, duke theksuar se vendi ka nevojë për një ndryshim serioz dhe se, sipas tij, adresa e vetme për këtë ndryshim është LDK-ja.
“Do të investojmë seriozisht në familje, duke ndarë nga 200 euro në muaj për çdo fëmijë”, tha ai.
Në programin e tij, Abdixhiku premtoi investime në arsim, duke përmendur ndërtimin e 80 çerdheve me mbi 60 milionë euro investime, si dhe zbatimin e mësimit tërë ditor edhe në Prizren.
Ai paralajmëroi rritje të pagave për mësimdhënësit deri në 1 mijë euro në muaj, rritje të pagave për infermierët dhe kategoritë e tjera, si dhe rritje të pensioneve për katër kategori të shoqërisë.
Sipas tij, asnjë i ri në Kosovë që ka përfunduar shkollimin nuk do të mbetet pa punë, me pagë minimale prej 500 euro.
Abdixhiku shtoi se sektori privat do të ketë mbështetjen e merituar, me respektim të plotë të kontratave të punës, ndërsa premtoi investime prej 5 miliardë eurosh në të gjitha fushat.
