Abdixhiku: Nuk do ta lejojmë që botëkuptimi i mercenarëve të hyjë në LDK

Abdixhiku: Nuk do ta lejojmë që botëkuptimi i mercenarëve të hyjë në LDK

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar përmes një postimi në Facebook ndaj, siç i quan ai, “sulmeve të paguara nga jashtë”, duke theksuar se nuk do të lejojë që ky mentalitet të ketë ndikim brenda partisë që drejton.

Pa i përmendur me emër, Abdixhiku tha se “mercenarët u vetëlajmëruan”, duke shtuar se mënyra se si ata reagojnë tregon edhe botëkuptimin e tyre politik. Sipas tij, ata mendojnë se politika sillet rreth krimit, frikës dhe shitblerjes, sepse vetë funksionojnë mbi këto parime.

“Nuk do ta lejojmë këtë botëkuptim të shtrihet në LDK as si fjalë, as si mendim, e aq më pak si ndikim”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka theksuar se beson në një politikë që nuk blihet dhe në njerëz që nuk shiten, duke nënvizuar se anëtarësia e LDK-së nuk është për tregti politike. Sipas tij, pikërisht ky është dallimi thelbësor i LDK-së nga të tjerët.

Kreu i LDK-së ka paralajmëruar se do ta mbrojë partinë dhe secilin anëtar të saj nga, siç i quan, sulmet e orkestruara, edhe nëse do të mbetet i vetëm në këtë betejë.

“Mercenarët do të vazhdojnë të ulërasin për LDK-në. Duket se nuk u mjafton partia e tyre. Duan edhe një tjetër ku t’i shtrijnë thonjtë e ndikimit. Nuk ka gjasë”, ka shkruar Abdixhiku.

Në fund, ai ka theksuar se LDK do të vazhdojë rrugën e saj përpara, duke përfunduar me mesazhin se “zhurma paguhet, por e vërteta jo”, duke shprehur bindjen se e vërteta në fund gjithmonë fiton.

Related Articles