Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një fjalim të gjatë të shtunën ka folur rreth arsyjeve që sipas tij ndikuan në rezultatin e dobët zgjedhor të LDK-së, raporton Gazeta Enigma.
Sipas Abdixhikut, LDK-ja e ka mbajtur fjalën, nuk ka mashtruar dhe ka qëndruar konsekuente në parimet e saj politike dhe morale. Megjithatë, ai pranoi se partia nuk ka arritur t’i bindë qytetarët se këto vlera ishin zgjedhja e duhur dhe se ka dështuar në komunikimin dhe shpjegimin e mjaftueshëm të vendimeve politike.
Abdixhiku ishte i prerë kur tha se partia nuk mund të ishte pjesë e asnjë rreshtimi politik që do të përbënte një “front humbësish” kundër një fituesi të zgjedhur në mënyrë demokratike, por po ashtu nuk mund të pranonte dorëzimin përballë, siç u shpreh ai, një poshtërimi ofendues nga fituesi.
“Nuk arritëm të komunikonim mjaftueshëm. Nuk arritëm të shpjegonim mjaftueshëm pse disa vendime ishin të domosdoshme, pse disa rrugë ishin të pamundura dhe pse disa kompromise nuk ishin të pranueshme. Nuk ishte i mundshëm as një front i humbësve kundër një fituesi të zgjedhur në mënyrë demokratike, por nuk ishte i mundur as dorëzimi para poshtërimit ofendues të një fituesi”, ka thënë ai në Kuvendin e Punës, duke aluduar në kritikat se LDK-ja pësoi rënie në zgjedhjet e 28 dhjetorit pasi gjatë bllokadës institucionale nuk u bë bashkë as me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), por as nuk pranoi koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).
