Abdixhiku: Nuk shoh dallim mes Albin Kurtit dhe produktit të tij, Dimal Bashës

Abdixhiku: Nuk shoh dallim mes Albin Kurtit dhe produktit të tij, Dimal Bashës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se nuk sheh asnjë ndryshim mes kryeministrit Albin Kurti dhe deputetit të Vetëvendosjes, Dimal Basha.

“Nuk shoh dallim mes Albin Kurtit dhe produkteve të tij si Dimal Basha, është e njëjta mendësi… absolutisht, sepse njerëzit e tillë prodhojnë rezultate të tilla. Dora ime, nënshkrimi im, mendimi im s’kish propozuar askund një gjë të tillë për krye të Kuvendit, ta keni të sigurt”, tha Abdixhiku në emisionin Debat Plus.

Ai theksoi se deputetët e Kuvendit nuk duhet gjykuar, pasi janë reflektim i shoqërisë, duke pasur parasysh se listat zgjedhore përfshijnë përfaqësues nga kategori të ndryshme të qytetarëve.

Duke folur për kryeministrin, kreu i LDK-së shtoi se shpeshherë është befasuar nga “cekëtësia e mendimeve” të Albin Kurtit në takimet politike.

“Për shembull, në takimin që kemi pasur me liderët politikë ku ishim mbledhur të gjithë, niveli me të cilin ai interpretonte në gjuhën shqipe vendimin e Gjykatës Kushtetuese – fakti që s’i kuptonte gjërat e shkruara shqip – ishte shqetësues për secilin prej nesh”, u shpreh Abdixhiku.

Related Articles