Abdixhiku: Sa më i fortë refuzimi, aq më i domosdoshëm bëhet hetimi për energjinë

Abdixhiku: Sa më i fortë refuzimi, aq më i domosdoshëm bëhet hetimi për energjinë


Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, reagoi sot pas dështimit të formimit të Komisionit hetimor parlamentar për çështjen e energjisë, raporton Gazeta “Enigma”.

Mos votimit e këtij komisioni nga ana e partisë në pushtet, LVV-së, Abdixhiku e ka konsideruar si frikë të tyre për ta zbardhur këtë proces.



Abdixhiku ka thënë se ky Komision, përveç krizës energjetike, do t’i hetonte edhe punësimet, siç i cilëson ai, nepotike në Korporatën Energjetike të Kosovës.

“Mazhoranca parlamentare sot refuzoi formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për krizën energjetike – një kërkesë legjitime e jona për zbardhjen e së vërtetës mbi shpenzimin e 100 milionë eurove subvencione e shtrenjtimit të faturave energjetike deri në 100%. Pjesë e hetimit do të ishin edhe punësimet nepotike në KEK. Ky refuzim hetimi, është shenjë frike e pushtetit rreth së vërtetës që megjithatë do të zbardhet herët apo vonë. Sa më i fortë refuzimi, aq më i domosdoshëm bëhet hetimi”, tha ai.

“Dhe sa më i domosdoshëm hetimi, aq më e drejtë bëhet kërkesa jonë për të. Sjella e mazhorancës, si tregues i arrogancës së numrave që parandalon ushtrimin e detyrimeve kushtetuese të Parlamentit mbi Qeverinë, është praktikë kundërkushtetuese. E njëjta s’mund të vazhdojë”, ka shkruar i pari i LDK-së në “Facebook”.

Abdixhiku ka thënë se konstruktiviteti i deputetëve të LDK-së është marrë si i mirëqenë nga Qeveria, një gjë që sipas tij, nuk do të ndodhë më pa themelimin e këtij Komisioni.

Pas shumë përplasjesh verbale, në seancën e sotme të Kuvendit vetëm 33 deputetë votuan pro themelimit të këtij Komisioni.

Kjo bëri që opozita ta lëshoj sallën. / Gazeta Enigma.

Related Articles