Kandidati i LDK-së për kryeministër nga LDK, Lumir Abdixhiku, i ka falënderuar qytetarët që e kanë votuar atë dhe partinë që e udhëheq ai, raporton Gazeta Enigma.
“Të gjithë votuesve tanë, ju faleminderit që mbështetët Lidhjen tonë. Të gjithë qytetarëve të Kosovës, ju faleminderit që nderuat demokracinë e atdheut tonë. Të gjithë veprimtarëve tanë ju faleminderit që punuat me kaq vullnet e me kaq emocion në këto zgjedhje. Asgjë mangut!”
Abdixhiku ka thënë se shpreson që i ka prirë mbarë e i ka përfaqësuar “siç keni merituar gjithnjë”.
“E shoh me plot krenari rrugëtimin e bërë deri më tani. Nuk dijmë ndryshe, nuk duam ndryshe, nuk duhet ndryshe. Rritja jonë i jep mundësi e qetësi organizimit më të mirë të brendshëm partiak – dhe për këtë do të qëndroj gjithmonë krenar; por kjo rritje është e pamjaftueshme për ndryshimin e Republikës në këtë fazë – dhe për këtë ndjejë keqardhje. Pavarësisht të gjithave, Do të ketë dritë!”, ka thënë ai.
Në fund Abdixhiku ka thënë se pas numërimit përfundimtar do të ofrojë qëndrimet e veta politike.
“Në këtë fazë, vazhdojmë me numërimin e votave të mbetura; sidomos ato në mërgatë. Pas numërimit përfundimtar, LDK do të ofrojë qëndrimet e veta politike.”