Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim Emanuele Giaufret, zëvendësdrejtorin menaxhues për Europën Perëndimore në Shërbimin europian për veprim të jashtëm.
Gjatë këtij takimi, LDK-ja njoftoi se Abdixhiku diskutoi për qëndrimin e partisë për zhvillimet politike aktuale në vend, me theks të veçantë mbi situatën e krijuar rreth çështjes së zgjedhjes së presidentit të republikës dhe rolin e institucioneve të Kosovës në këtë proces.
Ai nënvizoi se përgjegjësia kryesore për përmbylljen e këtij procesi i takon shumicës parlamentare, duke shprehur bindjen se ky proces “duhet të zgjidhet përmes një marrëveshjeje politike dhe jo me imponim”.
“Në lidhje me mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja, kryetari Abdixhiku theksoi se Lidhja Demokratike e Kosovës do të hyjë e bashkuar dhe e përgatitur në çdo proces zgjedhor, duke besuar se ka mundësinë për të ofruar zgjidhje të qëndrueshme dhe zhvillimore për vendin”, thotë LDK-ja.
Po ashtu, Abdixhiku shprehu mirënjohjen e LDK-së për mbështetjen e vazhdueshme që Bashkimi Europian ia ka ofruar Kosovës gjatë të gjitha proceseve, duke vlerësuar rolin e rëndësishëm të BE-së në forcimin e stabilitetit, demokracisë dhe orientimit evropian të vendit.
Ai theksoi nevojën për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushat e ekonomisë, zhvillimit dhe integrimit europian, duke e konsideruar këtë si një hap thelbësor në rrugëtimin e Kosovës drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe më të mirë për qytetarët tanë.
