Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas vdekjes së ish-sekretares së shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright.
Abdixhiku thotë se Albright do të mbetet emër i gravuar në historinë tonë përgjithmonë.
“Një kampione e demokracisë, një themeltare e mbështetjes ndërkombëtare për Kosovën në orën tonë më të vështirë, Madeleine Albright do të mbetet emër i gravuar në historinë tonë përgjithmonë”, thotë ai.
Tutje, Abdixhiku ka shkruar se emra të tillë janë të rrallë dhe se sontë humbëm një ikonë të lirisë.
“Madeleine Albright ka vënë një standard të papërsëritshëm të mbështetjes këmbëngulëse për vendin tonë. Kosova, populli jonë, gjenerata e tashme e shumë të tjera që do vijnë pas, do të kujtojnë e nderojnë Sekretaren Albright për rolin e saj fundamental, në përpjekjen dhe përmbushjen tonë nacionale drejt lirisë, pavarësisë e demokracisë. Pusho në paqe Zonja Sekretare! Të faleminderit”, ka shkruar Abdixhiku.