Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një deklaratë për media ka kritikuar faktin se Glauk Konjufca e pranoi mandatin e formimit të qeverisë, raporton Gazeta “Enigma”.
Tutje Abdixhiku tha se po të kishte dinjitet Konjufca, nuk do ta pranonte mandatin fare. “Ky është kalkulim për datën e zgjedhjeve. Po të kishte Konjufca minimalisht dinjitet, për të cilin unë kam besuar se e ka, nuk do ta merrte mandatin fare. Ose po ta merrte mandatin sa për të kënaqur organet e partisë, dhe të nesërmen të dilte të deklaronte se s’ka shumicë, rrjedhimisht Presidente e nderur na cakto datën e zgjedhjeve sepse s’kam ndërmend t’i humb Kosovës 15 ditë kohë”, tha kreu i LDK-së në “Rubikon”.
Ai shtoi se nuk mund të sillesh sikur po shqetësohesh se ka krizë buxhetore, e në anën tjetër të shtysh këtë proces për 15 ditë.
“Nuk mundesh në një anë të thuash ka krizë buxhetore, e në anën tjetër të na shtysh 15 ditë këtë proces për kalkulim elektoral. Ose je kalkulues për datë, e që është rasti, ose je naiv. Unë Konjufcën nuk e njoh si naiv, por tani po e njoh si një kalklulim elektoral. Ai don të kalkulojë dhe të harxhojë 15 ditë”, deklaroi Abdixhiku.
