Abdixhiku për masakrën e Mejës: Çmimi i lirisë së Kosovës ka qenë çmim i vetë jetës

Abdixhiku për masakrën e Mejës: Çmimi i lirisë së Kosovës ka qenë çmim i vetë jetës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar masakrën e Mejës, raporton Gazeta “Enigma”.

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një posimi në Facebook ka njoftuar se Abdixhiku në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur ka kujtuar edhe Masakrën e Mejës në përvjetorin e 26-të të saj.

“Më 27 prill 1999, Kosova përjetoi një nga plagët më të rënda në historinë e saj, Masakrën e Mejës. Në atë ditë të rëndë, 376 civil shqiptarë, u morën mizorisht nga jeta nga forcat policore e ushtarake serbe, në një akt barbar që ka lënë dhimbje të pashuar në shoqërinë tonë. Aparati shtetëror serb organizoi izolimin e mbi 15 fshatrave, duke grumbulluar dhe ekzekutuar djemtë e burrat tanë para syve të familjarëve të tyre, në një pamje që as koha nuk do të mund ta fshijë nga kujtesa jonë. Dhimbja e të gjitha atyre familjeve është dhe dhimbje e jona; por mbi të gjitha është rikujtim i vuajtjeve të popullit të Kosovës për lirinë e sotme. Sot, gjithandej Kosovës japim nderimet e tona për civilët e vrarë e dëshmorët e rënë. Çmimi i lirisë së Kosovës ka qenë çmim i vet jetës – sikurse i 376 civilëve të Mejës”.

“Sot, kemi dhe një detyrim shtesë. Në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur në Kosovë, vazhdojmë të thërrasim për drejtësi dhe zbardhjen e fatit të 1617 qytetarëve tanë të pagjetur. Kosova s’mund të ecë përpara pa gjetjen e qetësisë për familjarët e të pagjeturve. Lavdi përjetësisht dëshmorëve të Masakrës së Mejës dhe të gjithë të rënëve gjithandej Kosovës!”. /Gazeta Enigma/

Related Articles