Abdixhiku për qeverinë Kurti: Fukarallëk mendor

Abdixhiku për qeverinë Kurti: Fukarallëk mendor

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku nëpërmjet një postimi në Facebook ka kritikuar qeverinë e Kosovës pasi sipas statistikave të publikuara nga Instituti GAP, del që këtë vit, investimet kapitale (9%) janë më të ulëtat në dekadën e fundit.

Në një shkrim të titulluar “AS EDHE NJË SHENJË E LËNË”, Abdixhiku shprehet se vera e dytë e kohës së punimeve në qeverinë Kurti po kalon dhe asnjë projekt kapital nuk po merr formë.

Ai ka thënë se Kurti nuk është parë të përurojë ose të flasë për ndonjë projekt madhor në Kosovë, madje edhe premtimet e tij për banesa sociale, çerdhe, rrugë rajonale nuk kanë filluar.

“Realizimi i investimeve kapitale në Kosovë është më i ulëti në gjithë dekadën e fundit. Po kalon viti i dytë qeverisës, vera e dytë e kohës së punimeve, dhe asnjë projekt kapital nuk po merr formë në vendin tonë. As edhe një shenjë e lënë. Kur keni parë kryeministrin e Kosovës të fillojë, përurojë apo edhe të flasë për ndonjë projekt madhor kudo në Kosovë? Cilën vendpunishte me punëtorë e ka nisur ai apo kjo Qeveri deri më sot?Premtimet e 40 çerdheve në Kosovë, të 4000 banesave sociale, të rrugëve rajonale, bankave zhvillimore e aseteve sovrane – nuk kanë filluar as edhe në letër. Dhe për aq sa merr kohë një projekt të nis e përfundojë, edhe dy verat e ardhshme të këtij mandati do të shkojnë pa asnjë shenjë të lënë.”, shkruan Abdixhiku.

Më tutje, Abdixhiku shprehet se Kosova ka nevojë për zhvillim dhe ky zhvillim s’mund të reduktohet në transaksione bankare të skemave sociale. Sipas tij, shteti s’është vetëm bankë dhe Kosova ka nevojë për investime të mëdha kapitale.

“Kosova ka nevojë për zhvillim; e zhvillimi nuk mund të reduktohet në disa transakcione bankare të skemave sociale. S’është ekonomia kaq e thjeshtë e shteti s’është vetëm bankë. Kosova megjithatë ka nevojë për projekte të guximshme dhe të mëdha; për investime kapitale në spitale, shkolla, infrastrukturë rrugore, stadiume, salla kulturore e në energji – në pothuajse çdo fushë të jetës publike.”, tha Abdixhiku.

Më tutje, Abdixhiku është shprehur se fukarallëku mendor i qeverisë Kurti po prodhon tkurrje kolektive.

“Fukarallëku mendor i kësaj Qeverie po prodhon tkurrje kolektive të gjithë shoqërisë sonë. Kosova sot duket e trishtë krahasuar me tempon e punimeve në secilin shtet në rajon. E në mungesë të projekteve kapitale, le të mjaftohemi me foto shëtitëse, arrogancë qeverisjeje e arsyetime të 20 viteve të shkuara. Është më e lehtë kjo.”, tha ai.

Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti është kritikuar ditët e fundit shumë për mosshpenzim të buxhetit në projekte kapitale. 

Related Articles