Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin britanik, Nick Abbott.
Abdixhiku i dhuroi atij një helmetë ilire, në mënyrë që të mbajë si kujtim Kosovën.
“Si një diplomat me përvojë e si një mik i madh i vendit, ai mirëmbajti relacionet mes shteteve tona me plot kujdes e vullnet të mirë”, tha Abdixhiku.
Ai gjithashtu shtoi se janë mirënjohës rreth mbështetjes së vazhdueshme të Britanisë së Madhe.
Në njoftimin e plotë thuhet:
Ambasadorin britanik, Nick Abbott e prita në takimin lamtumirës, në Selinë Qendrore të LDK-së. I dhurova një helmetë ilire, që ta mbajë si rikujtim Kosove e rikujtim të bashkëpunimit të ngushtë që kishim me Lidhjen Demokratike. Me ambasadorin britanik dhe familjen e tij, përveç relacioneve zyrtare kam pasur nderin të zhvillojë dhe miqësi të veçantë. Ishte gjithnjë i matur dhe i ndjeshëm; ishte gjithnjë i përkushtuar për çdo angazhim tonin. E falënderova për punën e tij katër vjeçare në Kosovë. Si një diplomat me përvojë e si një mik i madh i vendit, ai mirëmbajti relacionet mes shteteve tona me plot kujdes e vullnet të mirë. Shfrytëzova rastin dhe ta falënderojë në veçanti për deklaratën e Sekretarit, Cameron gjatë vizitës së tij në Kosovë, si garancë për Republikën tonë, të lirë e sovrane. Mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar është shtyllë e sigurisë sonë kombëtare. Për këtë, populli i Kosovës, do të jetë mirënjohës gjithnjë!