Abdixhiku prezanton programin për shëndetësi: 250 milionë euro për ndërtimin e spitalit të ri

Abdixhiku prezanton programin për shëndetësi: 250 milionë euro për ndërtimin e spitalit të ri

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia e tij ka një plan “më të guximshëm dhe shumë ambicioz” për transformimin e sistemit shëndetësor.

“Duam ta ndërtojmë një Spital të Ri. Tërësisht të ri, në lokacion krejt të ri. Modern, të kohës, me qëllime për të siguruar e përballuar nevojat shëndetësore të popullsisë për 50 vitet e ardhshme. Qendra Klinike Universitare, këtu në Prishtinë, është ndërtuar në vitin 1964, dhe në gjithë papërshtatshmërinë e saj, ajo vazhdon të marrë invesitme meremetuese por asnjëherë të jetë në nivel me spitalet që rëndom i gjejmë në rajon”, shkroi Abdixhiku.

Abdixhiku tha se i kanë ndarë 250 milionë euro për ndërtimin e spitalit të ri.

Ai u shpreh se LDK-ja parasheh edhe menaxhim ndërkombëtar të spitaleve tona, me qëllim të ndarjes, të menaxhmentit shëndetësor nga profesioni shëndetësor.

“LDK po ashtu me programin politik “Rruga e Re”, parasheh sigurime shëndetësore 3.5% + 3.5%; digjitalizim i plotë i shëndetësisë dhe sistem informativ shëndetësor; menaxhim ndërkombëtar i spitaleve, 150 milionë euro investime në pajisje të reja; si dhe koeficient 150 për stafin shëndetësor”.

Kreu i LDK-së para ekspertëve të shëndetësisë së kësaj partie, foli edhe për ikjen e mjekëve nga Kosova.

“Për të adresuar këtë problem dhe për të ndihmuar në mbajtjen e mjekëve të rinj në vend, ne, përveç se do t’i rrisim pagat nëpërmjet koeficientit 150, do të garantojmë dhe punësimin brenda 6 muajve nga përfundimi i studimeve për të gjithë mjekët e rinj; gjersa, specializimi me pagë do të garantohet brenda dy viteve nga përfundimi i studimeve të tyre”, tha ai.

Abdixhiku po ashtu tha se do të investojnë edhe në modernizimin dhe zhvillimin e 7 spitaleve rajonale ekzistuese, në mënyrë që të ofrojnë shërbime të plota të kujdesit dytësor për pacientët e rajoneve përkatëse.

Sot LDK bashkë edhe me ekspertët nga Departamenti i Shëndetësisë në Pejë, e kanë bërë edhe prezantimit e programit nga kjo fushë.

Related Articles