Abdixhiku pritet në Departamentin Amerikan: I shqetësuar se sa i degradoi Qeveria raportet me SHBA-të

Abdixhiku pritet në Departamentin Amerikan: I shqetësuar se sa i degradoi Qeveria raportet me SHBA-të

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka vizituar sot Departamentin Amerikan të Shtetit.

Këtë e ka bërë të ditur vet Abdixhiku me anë të një postimi në Facebook.

Ai ka bërë të ditur se aty është pritur nga Gabriel Escobar, që është emisar i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor.

“LDK-ja është mirënjohëse për ndihmesën historike dhe aktuale të Qeverisë së SHBA-ve, të institucioneve të tjera dhe të popullit amerikan për Republikën e Kosovës. Së bashku, deri më tani, kemi arritur rezultate historike, mbi të cilat duhet të sigurohet e ardhmja e Kosovës si shtet i barabartë me të gjitha shtetet e tjera të botës. Kosova, shtet i pavarur e sovran, e anëtarësuar në NATO e BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të, është misioni ynë i pandryshuar”, ka shkruar ai.

Abdixhiku ka thënë se është i shqetësuar për “shkallën në të cilën institucionet e vendit kanë degraduar raportin me amerikanët”.

Kujtojmë se para pak ditësh, Ambasada Amerikane në Kosovë ua bëri me dije qeveritarëve në Kosovë se nuk mund të udhëtojnë drejt SHBA-ve në këto momente.

Ambasada tha se kjo kërkesë u parashtrua shkaku i tensioneve me Serbinë për çështjen e targave, dhe se udhëtimi duhet të bëhet në një moment tjetër.

Postimi i plotë i Abdixhikut:

Ditën e parë të vizitës sime në SHBA e nisa në Departamentin Amerikan të Shtetit, ku u prita nga Gabriel Escobar, Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit dhe i Dërguari i Posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor.

LDK-ja është mirënjohëse për ndihmesën historike dhe aktuale të Qeverisë së SHBA-ve, të institucioneve të tjera dhe të popullit amerikan për Republikën e Kosovës. Së bashku, deri më tani, kemi arritur rezultate historike, mbi të cilat duhet të sigurohet e ardhmja e Kosovës si shtet i barabartë me të gjitha shtetet e tjera të botës. Kosova, shtet i pavarur e sovran, e anëtarësuar në NATO e BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të, është misioni ynë i pandryshuar.

Në këtë drejtim, shtrova kërkesën për arritjen dhe nënshkrimin e ‘Kartës për Partneritet Strategjik ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës’. Kjo kartë bilaterale partneriteti, siguron avancimin e relacioneve mes dy shteteve në mbrojtje, politikë, energjetikë, edukim, ekonomi, kulturë e të drejta të njeriut. Karta në fjalë, avancon në nivel të ri marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve, siç dhe ofron dhe garanci të shëndosha për të ardhmen euroatlantike të Kosovës e regjionit.

Z.Escobar i prezantuam dhe pikëpamjet tona mbi gjendjen e fundit të sigurisë në Kosovë, si dhe nevojën e koordinimit të ngushtë të institucioneve të Kosovës me SHBA-të dhe me partnerët e tjerë. Koordinimi i tillë është garanci për të kapërcyer të gjitha sfidat.

Në frymën e diskutimit që pata sot në Departamentin e Shtetit, shpreh edhe një herë shqetësimin tim dhe të LDK-së për shkallën në të cilën institucionet e Kosovës e kanë degraduar raportin me Qeverinë amerikane.

Për shtetin tonë të ri, aleanca me SHBA-të është jetike. Kështu ka qenë tash e më shumë se tri dekada. Aleanca dhe bashkëpunimi i ngushtë me SHBA-të dhe me partnerët evropianë, Kosovës ia kanë sjellë lirinë dhe pavarësinë. Populli i Kosovës është përjetë mirënjohës për gjithë angazhimin e partnerëve tanë.

Edhe një herë, u bëj thirrje institucioneve të vendit që të bashkëpunojnë ngushtë me SHBA-të dhe partnerët e tjerë, në funksion të shtrirjes së sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, të sigurisë dhe të prosperitetit për të gjithë.

Related Articles