Abdixhiku: Qeveria ka dështuar që në fillim

Abdixhiku: Qeveria ka dështuar që në fillim

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë një diskutimi në Lipjan ka folur për marrëdhëniet e Kosovës me shtetet aleate. Ai tha se Kosova “nuk ka pse” të zgjedhë mes ligjshmërisë dhe aleatëve ndërkombëtare, pasi sipas tij, mund të jenë të dyja.

“Kosova nuk ka pse të zgjedhë mes ligjshmërisë dhe aleatëve më të ngushtë ndërkombëtarë; Kosova duhet t’i ketë të dyja, edhe ligjshmërinë edhe aleatët ndërkombëtarë. Një Qeveri që sjellë vendin përballë një zgjedhje të tillë, ka dështuar që në fillim”, deklaroi Abdixhiku.

Ai tha se Qeveria edhe është tërhequr nga vendimi i parë edhe ka propozuar shtyrje pa koordinim me aleatë.

“Qeveria e Kosovës ka dështuar që në fillim. Edhe është tërhequr nga vendimi i parë; edhe ka propozuar shtyrjen pa koordinim dhe së këndejmi pa mbështetje të faktorit ndërkombëtar”.

Abdixhiku shtoi se Kosova ka nevojë për mesazhe mbështetëse nga Administrata Biden dhe Bashkimi Evropian.

“Në kohë të zhvillimeve të mëdha rajonale e kontinentale, Kosova ka nevojë për mesazhe mbështetëse nga Administrata Biden e nga Bashkimi Evropian. Do të duhej të ishim në momentet më të mira politike pas një kohe të gjatë. Kosova ka nevojë për ndihmë të aleatëve në proceset integruese euroatlantike; përkatësisht në liberalizim të vizave e në anëtarësim në NATO.”

“Ajo që më së paku që i duhet Kosovës sot, është zhgënjimi e dëshpërimi i qendrave më mike të vendit tonë me institucionet e Kosovës.”

“Sot ne duhej të ecnim hap me hap me ta. T’i hapnim dyert Kosovës, të siguronim njohje, anëtarësime, e investime. Deklaratat e zhgënjimit e dëshpërimit ndaj Kosovës, dëshmojnë të kundërtën dhe si të tilla, domosdo janë me pasoja të mëdha për vendin dhe shoqërinë tonë. Dhe sot duhet të pyesim veten të gjithë, çfarë interesi kombëtar qenka një distancim i tillë?”

”Udhëheqja shtetërore, në veçanti në relacion me aleatë, nuk është platformë popullizmi për turma. Është, para së gjithash, përgjegjësi e shtetarëve të mëdhenj. Por Kurti nuk është i tillë. Ai nuk i njeh as interesat e Kosovës, as domosdoshmërinë e aleancave tona.”

Ai tha se LDK “shpreh shqetësimin e thellë mbi relacionet e fundit të krijuara”.

“Ritheksojmë nevojën e koordinimit të plotë me aleatët tanë. Kërkesat e tyre të sinqerta, të Administratës Biden në ShBA e të aleatëve tjerë evropianë, duhen te merren me mençuri e jo me arrogancë.”

Related Articles