Abdixhiku thotë se LDK është më e vështirë për t’u udhëhequr se çdo parti tjetër

Abdixhiku thotë se LDK është më e vështirë për t’u udhëhequr se çdo parti tjetër

Kreu aktual i LDK-së mbajti fjalim sot pranë Kuvendit të partisë me ç’rast foli rreth rezultatit zgjedhor të partisë në zgjedhjet e fundit, duke marrë përgjegjësi të plotë për disfatën, shkruan gazeta Enigma.

Pavarsisht kësaj, Abdixhiku tha se rezultati i partisë nuk vjen nga një gabim i vetëm, por është një proces i gjatë që kërkon reflektim të hapur.

“Të dashur delegatë, rezultati që na solli këtu nuk erdhi nga një gabim i vetëm, as nga një natë e vetme, as nga një vendim i vetëm. Ai erdhi ngadalë, si grumbullim, si peshë që rëndonte çdo ditë, derisa një ditë e kuptoni se nuk mban më. Dhe për të kuptuar pse jemi këtu sot, duhet të kemi guxim t’i themi disa të vërteta ballë për ballë, drejt e në sy. Pa zbukurime, pa iluzione. Prandaj më lejoni t’i jap shpjegimin dhe tregimin tim për rezultatin e LDK-së, për gjendjen tonë partiake dhe për rrugën përpara. Jo si një analist i ftohtë politik, por si një rrëfim përmbajtësor, si dikush që e ka përjetuar këtë rrugëtim nga afër, me të gjithë peshën e tij, me të gjithë përgjegjësinë e tij, me të gjithë heshtjen dhe dilemat që nuk ndahen nga ai”, tha ai.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e demokracisë brenda partisë dhe sfidën e ndërtimit të lidershipit demokratik.

“Dhe do ta bëj këtë nëpërmjet tri realiteteve që duhet t’i ballafaqojmë hapur këtu dhe jo vetëm këtu. Realiteti i parë dhe më i rëndësishmi që duhet ta pranojmë sot, është ky: Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e vetmja parti politike në vend, themeluesi i së cilës nuk jeton. Ky fakt, përveç simbolikës historike, ka nisur një proces të domosdoshëm pjekurie tek ne. I thonë demokraci. Në demokraci lind sfida e madhe politike: ndërtimi i lidershipit demokratik, jo autoritar, por demokratik. Dhe rrjedhimisht lind sfida e ndërtimit të solidaritetit”, tha ai.

“Le ta kuptojmë, në këtë rrugëtim jemi ndryshe nga çdo parti tjetër në Kosovë. Çdo parti tjetër që udhëhiqet nga themeluesit e saj, janë aty gjithmonë. Nuk sfidohen, nuk lëkunden, nuk vihen asnjëherë në provë. Ata janë vetë partia, autoritet suprem. Demokracia atje është mjet i konsolidimit të autoritetit, lidershipi është produkt i parapërcaktuar që nga fati i themelimit. Solidariteti atje është i nënkuptuar më shumë si nënshtrim”.

“Në LDK kemi fat tjetër: të provojmë të parët demokracinë partiake dhe të nxjerrim gjithmonë dhe vazhdimisht lidership demokratik. Jemi me shumë fat që e bëjmë këtë gjë, por pikërisht këtu fillon edhe vështirësia jonë. Në kuptimësimin e kësaj demokracie, e shpeshherë besa edhe në moskuptimin e saj. Në demokraci lidershipi nuk është dhuratë. Nuk është shpërblim, nuk është as privilegj besa. Është provë, është ambicie legjitime dhe po, është barrë e madhe. Por mbi të gjitha është garë. Garë mes të njëjtëve, mes bashkëveprimtarëve. Dhe gara sado e drejtë të jetë në parim, nuk është kurrë e lehtë. Ajo sjell humbje, sjell përplasje, sjell tension që nuk shuhet lehtë, as në një ditë, e aq më pak javë”, tha Abdixhiku.

“Prandaj LDK është më e vështirë për t’u udhëhequr se çdo parti tjetër. Sepse këtu liderët, në të gjitha nivelet politike e partiake, edhe kur zgjidhen nuk pushojnë së qeni në provë dhe nuk pushojnë së punuari në ngjitjen dhe afrimin e çdo cope të brendshme që mund të jetë e lënduar. Dhe kjo sfidë nuk është e përkohshme. Ajo nuk mbaron ditën e zgjedhjes, nuk mbaron me votën e besimit. Ajo rilind çdo ditë, secilën ditë për të gjithë. Çdo vendim, çdo fjalë, çdo heshtje, lidershipi i LDK-së dhe vetëm i yni, dhe i asnjë partie tjetër, është në matje. Më besoni, nuk mjafton të marrësh një mandat. Nuk mjafton as të kesh ide, as energji pune apo vizion. Nuk mjafton as të fitosh një garë, as t’i fitosh tetë komuna njëherë, as 70 mijë vota më shumë herën tjetër, as shtatë komuna të tjera më pas. Duhet të dëshmosh vërtet, secilën ditë, se i përket rolit që ke marrë, me meritë, me durim, me përulësi. Pra fati ynë i madh demokratik bëhet njëkohësisht edhe sfida jonë më e dukshme, brenda dhe jashtë pa dallim”, tha ai.

Ai bëri thirrje për unitet, i cili sipas tij duhet të “shërbejë për ngritjen e vërtetë të LDK-së”. / Gazeta Enigma.

Related Articles