Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e quajtur atë një fitore të madhe për demokracinë dhe Republikën, raporton Gazeta “Enigma”.
Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka thënë se Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë të plotë kërkesave tona dhe lëndës së hartuar nga LDK.
“Në një fitore të madhe të demokracisë dhe Republikës, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë të plotë kërkesave tona dhe lëndës së hartuar nga LDK. Siç e kishim thënë shumë herë, partia e parë kishte uzurpuar foltoren, kishte ndryshuar rendin e ditës me imponim dhe për 48 herë kishte shkelur Kushtetutën, duke insistuar në votimin e fshehtë – para dhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Votimi i fshehtë nuk pranohet. Jo kushtetues i konstatuar! Ky ishte qëndrimi ynë nga dita e parë”, ka theksuar Abdixhiku.
Tutje ai ka shtuar se ky vendim është dëshmi se demokracia mund të fitojë, pavarësisht sfidave, dhe se “drita do të ketë”, pasi Kosova ka patriotë që e mbrojnë atë. /Gazeta Enigma/