Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në ditëlindjen e 78 të presidentit historik Ibrahim Rugova theksoi se vlerat e bindjet e shtruara nga ai do t’i kultivojnë në çdo hap të veprimit tonë politik.
Abdixhiku në një postim në Facebook shkruan se në rrethanat e sotshme, sikurse në çdo rrethanë jetike deri tan bindet e vlerat e Rugovës mbesin të pazëvendësueshme.
“Rugova rrjedh nga një familje e përndjekur shqiptare. Shërbimet jugosllave i kishin vrarë dhe zhdukur babën dhe gjyshin e tij. Prandaj dhe ditëlindjet e tij të para ishin të vështira. Pasi kishte përfunduar shkollimin fillor në Istog, dhe atë të mesëm në Pejë, Ibrahim Rugova kishte vazhduar studimet në Prishtinë për të doktoruar aty në vitin 1984 në tezën me temë “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare: 1504-1983”. Para doktorimit, Rugova kishte marrë titullin e Këshilltarit Shkencor në Institutin Albanologjik; ndërkaq, në fund të viteve të 70-ta, nën mbikëqyrjen e Roland Barthes ndoqi studimet mbi letërsinë në Paris”.