Abrashi: Opozita krijoi një krizë, që askush nuk e di se si të dalim

Abrashi: Opozita krijoi një krizë, që askush nuk e di se si të dalim

Artan Abrashi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka deklaruar se qëllimi i thirrjes së mbledhjes për konstituimin e Kuvendit të Kosovës nuk u realizua për shkak të një “krize dhe bllokade politike” që sipas tij e shkaktuan partitë opozitare.

Ai theksoi se në opinion publik dominon një narrativë opozitare e mbështetur sipas tij, “nga disa agjentë të mediave dhe shoqërisë civile”, të cilët, tha se “po i ndihmojnë opozitës të përhapin argumente kundër qeverisjes.

Abrashi theksoi në RTK se më 15 prill, ishte thirrur mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës, ku ai ishte caktuar kryesues i një komisioni të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.

Komisioni, sipas Abrashit, kishte një funksion teknik dhe procedural, dhe kishte për detyrë vetëm të konstatojë një raport të KQZ-së dhe ta dërgojë për votim në Kuvend.

“Për çudi, opozita refuzoi të votojë raportin e komisionit, edhe pse kjo ishte një procedurë e thjeshtë”, tha Abrashi.

Ai theksoi se kjo situatë ka krijuar një krizë të panevojshme politike, ku askush nuk e di se si të dalim nga kjo.

Abrashi shtoi se në mbledhjen e 15 prillit, kryesuesi i Kuvendit iu drejtua presidentes së Kosovës si institucioni i vetëm që mund të garantojë funksionimin e duhur të shtetit.

Megjithatë, presidentja, sipas tij, “nuk ofroi një udhëzim konkret për të dalë nga kjo situatë”, por vetëm diskutoi nevojën për të bllokuar institucionet, duke interpretuar Kushtetutën pa ofruar zgjidhje.

Mes tjerash, Abrashi theksoi se ky zhvillim ka shkaktuar një situatë që kërkon diskutime të thella për të gjetur një zgjidhje.

Sipas tij, raporti është dashur të votohet në Kuvendin e Kosovës për t’i hapur rrugë dhënies së betimit të deputetëve.

“Kjo është krejt diçka artificiale që është ngritur si krizë. Është arsyetim i opozitës për ta mbuluar një gafë të paprecedent që ka ndodhur përmes rrëzimit të raportit”, tha ai.

Related Articles