Hondurasi është njëri nga 68 shtetet që abstenuan në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për rezolutën që 11 korrikun e shpalli Ditë ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë, krim për të cilin përgjegjës është Serbia.
10 ditë më vonë në publik doli lajmi se pikërisht Hondurasin, Serbia e ka ndihmuar me një donacion në vlerë prej gjysmë milioni dollarë.
Ministri i Jashtëm, Enrique Reina, ka njoftuar se Serbia ia ka dhuruar 500 mijë dollar Hondurasit si donacion për një spital të përfshirë nga zjarri.
Për ish-diplomatët e Kosovës nuk është risi fakti se Serbia bënë aktivitete në vende të treta kryesisht duke i ndihmuar ekonomikisht. Emir Abrashi që për një kohë ka shërbyer si këshilltar në Ministrinë e Jashtme, thotë se shpesh herë kanë ndarë bursa për studentë nga shtetet afrikane si strategji për të siguruar mbështetje.
Sipas tij, aktualisht Kosova nuk po korr suksese në politikën e jashtme për shkak të mungesës së strategjisë së lobimit dhe kontraktimit, posaçërisht për kompanitë e lobimit.
“E para lidhet me mungesën e funksionalitetit të shërbimit të jashtëm të Kosovës e i cili vjen për shkak të politikave të pamenduara të ministres Gërvalla. Për shkak të mungesës së koherencës në politikën e jashtme, për shkak të mungesës së koordinimit me politikën e jashtme.”, ka deklaruar Abrashi.
Megjithatë, sipas Abrashit në rastet sikur anëtarësimi në Këshillin e Evropës ku votat ndërlidhen me çështje të tjera, nuk ka strategji dhe ka përçarje brenda MPJD-së e mangësi në misionet diplomatike.
“Pozitat kyçe në Ministrinë e Punëve të Jashtme i mbajnë njerëz të cilët vijnë nga ministri e Diasporës e të cilët as nuk kanë grada diplomatike e të cilët në masë të madhe nuk kanë as përvojë në politikë të jashtme.”, ka vijuar Abrashi.