Ademi: Me sistemin VAR do ta kemi një garë të drejtë dhe në Evropë do të shkojnë katër skuadrat më të mira

Ademi: Me sistemin VAR do ta kemi një garë të drejtë dhe në Evropë do të shkojnë katër skuadrat më të mira

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka uruar sot klubet dhe futbollistët për rinisjen e garave.

Sot me ndeshjet e Kupës hapet edicioni i ri në futbollin kosovare, ndeshje këto që i paraprijnë fillimit të stinorin pranveror në Superligë që nis nga java  e ardhshme.

Numri një i FFK-së, ka thënë se pret një garë të fortë dhe të drejtë e këtë do ta mundësojë edhe sistemi VAR, ku sipas tij në fund në garat ndërkombëtare do të dalin katër skuadrat më të mira.

Postimi i Plotë i Agim Ademit:

Sot rinisi gara e futbollit në vendin tonë me ndeshjet e 1/8 së finales së Kupës së Kosovës, e që do të pasohet me ndeshjet kampionale në fundjavën e ardhshme.

Pushimin prej rreth dy muajsh të gjitha organet e federatës, por edhe klubet e shfrytëzuan në mënyrën më të mirë për t’u përgatitur për një stinor sa më cilësor dhe sa më interesant.

Me këtë rast, dua të uroj të gjitha klubet për një fillim të mbarë, me futboll cilësor e sa më shumë ‘fair-play’ në fushën e gjelbër dhe me përmbushje të objektivave të tyre.

Besoj se tashmë pandemisë Covid-19 po i vjen fundi dhe të gjithë do të jemi më të sigurt për të ecur përpara. Kjo do të mundësojë që në stadiumet tona të jehojë sërish zëri i tifozëve, të cilët pa dyshim i japin hijeshi lojës dhe motiv shtesë skuadrave në fushë.

Federata me të gjitha organet e saj do të bëjë çmos që ky stinor të jetë në nivel të lartë në të gjitha aspektet, por janë klubet ato që me organizimin e tyre dhe lojën e shfaqur e bëjnë garën tërheqëse dhe të bukur për tifozë.

Gjithsesi, duke parë mobilizimin e klubeve gjatë këtij pushimi dhe duke pasur parasysh sistemin

VAR, jam i bindur se sivjet do të kemi mbarëvajtje të lartë të garës dhe në Evropë do të përfaqësohemi me katër skuadrat më të mira të edicionit.

Urime e na priftë e mbara! . 

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles