Sot për herë të parë në Kosovë u lansua Strategjia për Futbollin e Vajzave e Grave, njofton Gazeta “Enigma”.
Kjo po ndodh pas shtatë viteve të anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA tha presidenti i FFK-së Agim Ademi.
“Sot është një ditë e veçantë për FFK-në dhe futbollin e Kosovës, ngase pas shtatë viteve të anëtarësimit në UEFA e FIFA, për herë të parë lansuam Strategjinë për Futbollin e Vajzave e Grave”, tha Ademi.
Tutje ai ka shtuar se “si president i FFK-së jam krenar që e kemi arritur një gjë të tillë në bashkëpunim me UEFA-n e FIFA-n dhe me punën e bërë nga ekipi punues i FFK-së”.
“Kjo strategji është një hap i madh në zhvillimin e futbollit në vendin tonë. Futbolli i femrave është prioriteti ynë dhe përmes kësaj strategjie synojmë të rrisim pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në të gjitha aspektet në futboll. Krahas kësaj strategjie po krijojmë edhe mundësitë e duhura që vajzat t’i bashkohen futbollit përmes përmirësimit të infrastrukturës sportive”, deklaroi Ademi.
Presidenti i FFK-së tutje tha se kanë synim të shohin edhe shumë vajza e gra në tribunat e stadiumeve si tifoze të futbollit.
“Ne synojmë të rrisim pjesëmarrjen e tyre në të gjitha aspektet e futbollit, duke filluar nga loja, trajneret, gjyqtaret dhe pozitat në administratën e Federatës. Po ashtu, synim ynë është të shohim edhe shumë vajza e gra në tribunat e stadiumeve si tifoze të futbollit”, tha ai.
“Falënderoj FIFA-n e UEFA-n për mbështetjen, ekipin e FFK-së në hartimin e kësaj strategjie, si dhe përfaqësueset e FIFA-s, Sue Ronan Martin e Arbenita Morina dhe atë të UEFA-s, Dan Whymark për kontributin e tyre”.
“Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për ngritjen e mëtejme të futbollit. Futbolli nuk njeh gjini, futbolli është për të gjithë!”, tha Ademi. /GAZETA ENIGMA/