Administrata Trump zhvilloi bisedime sekrete me Hamasin, Izraeli mëson detajet nga të tjerët

Administrata Trump zhvilloi bisedime sekrete me Hamasin, Izraeli mëson detajet nga të tjerët

Administrata Trump ka zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me Hamasin për lirimin e qytetarëve amerikanë të kapur peng në Gazë dhe mundësinë e një marrëveshje më të gjerë për përfundimin e luftës.

Këto janë pohime të mediumit Axios, e cila ka marrë konfirmime nga dy burime dhe thekson se negociatat, të udhëhequra nga dërguari i presidentit amerikan për çështjet e pengjeve, Adam Boehler, janë pa precedent.

SHBA nuk kanë pasur asnjëherë kontakte të drejtpërdrejta me Hamasin, të cilin e shpallën organizatë terroriste në vitin 1997.

Edhe pse administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka pasur konsultime me Izraelin për mundësinë e angazhimit me Hamasin, Izraeli ka mësuar për aspektet e negociatave përmes kanaleve të tjera.

Bisedimet janë përqendruar pjesërisht në lirimin e qytetarëve amerikanë të kapur, një çështje që është në fushën e përgjegjësisë së Boehler si dërguar për pengjet.

Megjithatë, ato kanë përfshirë gjithashtu biseda për një marrëveshje më të gjerë për lirimin e të gjithë pengjeve të mbetur dhe arritjen e një armëpushimi afatgjatë, por ende nuk është arritur asnjë marrëveshje.

Përfaqësuesi i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, gjithashtu kishte planifikuar të udhëtonte në Doha këtë javë për t’u takuar me kryeministrin e Katarit dhe për të diskutuar për ndërprerjen e luftimeve, por e anuloi udhëtimin të martën në mbrëmje pasi pa që nuk kishte pasur përparim nga ana e Hamasit.

Mediumi thekson se qasja e liderit amerikan është shumë ndryshe nga ajo e presidentit të kaluar amerikan, Joe Biden.

Negociatat e drejtpërdrejta me Hamasin, veçanërisht pa dijeninë e Izraelit, janë një hap tjetër që administratat e mëparshme nuk e ndërmorën.

Ndryshe, Izraeli dhe Hamasi tashmë kanë përfunduar fazën e parë të shkëmbimit të pengjeve me të burgosurit. 

Related Articles