Aeroplani ushtarak gjerman mbeti në ajër për rreth 7 orë, AShNA jep detaje

Aeroplani ushtarak gjerman mbeti në ajër për rreth 7 orë, AShNA jep detaje

Një aeroplan ushtarak gjerman, i cili ishte nisur nga Berlini për në Prishtinë, si pasojë e mjegullës së dendur, nuk ka mundur të aterrojë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Gjurmuesi i fluturimeve, “Flightradar24”, ka treguar se aeroplani i ushtrisë gjermane është nisur në orën 8:40 të mëngjesit dhe ka qëndruar në ajër për rreth shtatë orë.

E Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror – AShNA, në një përgjigje për Klankosova.tv, tha se fluturakja në fjalë nuk ka qenë e certifikuar për operime në CAT III B, certifikim i cili është i domosdoshëm për aterrim në kushte specifike, sikurse në rastin e sotëm.

Drejtori i kësaj agjencie, Driton Ujkani, tha se ANP “Adem Jashari” është i certifikuar dhe operon në përputhje me standardin ICAO Category III B (CAT III B) për qasje dhe aterrim në kushte të ulëta të dukshmërisë.

“Në rastin konkret, fluturakja në fjalë nuk ka qenë e certifikuar për operime në CAT III B, dhe për pasojë nuk ka përmbushur kërkesat teknike për të realizuar aterrim në kushte të dukshmërisë së ulët, ndonëse aeroporti i Prishtinës e ka pasur kapacitetin teknik për ta mundësuar atë. Fluturakes në fjalë sipas kërkesave të ekuipazhit të saj, i janë dashur minimum 550 metra dukshmëri për aterrim, kushte të cilat aktualisht nuk mbizotërojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës”.

“Prandaj, pamundësia për aterrim nuk ka qenë si pasojë e kufizimeve të aeroportit, por për shkak të mungesës së certifikimit të nevojshëm nga ana e operatorit ajror për procedura CAT III B”, deklaroi ai.

Ai theksoi se ky standard mundëson procedura të qasjes dhe aterrimit me dukshmëri horizontale deri në 50 metra, falë sistemit të avancuar të ndriçimit të pistës dhe pajisjeve të navigimit tokësor (ILS CAT III B), në përputhje me kërkesat e Autoritetit të Aviacionit Civil dhe organizmave ndërkombëtarë.

Ujkani shtoi se edhe përkundër situatës së sotme me mjegull në ANP “Adem Jashari”, të gjitha fluturimet tjera janë duke u zhvilluar normalisht dhe pa probleme.

Related Articles