Një ndërprerje masive e IT-së ngjau ditën e së premtes anë e mbarë botës.
Edhe Kosova u prek nga ky problem, por jo edhe aeroportet, bankat e mediat, siç u raportua për vende të tjera të botës.
Zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, Valentina Gara, është shprehur për Klankosova.tv, se sistemet e këtij aeroporti nuk janë afektuar.
“Ju njoftoj se sistemet e Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës nuk janë të afektuara”, tha Gara.
Po ashtu, Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se nuk ka pasur sulme kibernetike në sistemin bankar dhe se nuk ka pasur asnjë rrezik për të dhënat apo sistemet.
Por një institucion u prek nga problemi madhor i sigurisë kibernetike.
Ishte kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), ajo që u afektua nga ndërprerja masive e internetit, ku ka pasur vështirësi të procesimit të kërkesave të konsumatorëve.
Por, Njësia Nacionale KOS-CERT, që ka rolin kyç në ruajtjen e sigurisë se rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike në Republikën e Kosovës, ka bërë të ditur se rast të këtij problemi, sipas udhëzimeve teknike të proklamuara deri më tani, është e nevojshme që të fshihen fajllat “C-00000291*.sys” nga direktoriumi “C\Windows\System32\drivers\CrowdStrike” në Safe Mode.