Afrim Tovërlani është rikthyer në bankinën e FC Prishtinës pas disa viteve, pasi sot ai dhe drejtuesit e klubit kryeqytetas kanë arritur një marrëveshje.
Tovërlani deri tani ishte përzgjedhës i Kosovës U21, ka vendosur t’i kthehet punës ditore dhe sfidave në nivel klubesh. Kthimi i tij te klubi kryeqytetas shënon një rikthim simbolik, pasi Tovërlani ka një histori të gjatë dhe të suksesshme me Prishtinën.
Kujtojmë se në karrierën e tij, ai ka drejtuar disa nga klubet më të rëndësishme në futbollin kosovar: Prishtinën, Trepçën ’89, Feronikelin dhe Ferizajn.
Afrim Tovërlani është ndër trajnerët më të suksesshëm vendorë. Me Prishtinën ka fituar 7 trofe, përfshirë dy tituj kampioni, Kupën e Kosovës dhe Superkupën, ndërsa ka triumfuar në Superligë edhe me Feronikelin, duke dëshmuar vazhdimisht cilësi dhe stabilitet.
Rikthimi i tij në stolin e Prishtinës vjen pas largimit të Arsim Thaqit. Tifozët bardhekaltër e shohin këtë si një hap të madh drejt rikthimit në majat e futbollit kosovar, pasi aktualisht janë lider në elitë me 26 pikë.
