Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka bërë homazhe pranë varrit të heroit Afrim Bunjaku, në njëvjetorin e rënies heroike.
Krasniqi tha se Serbia duhet të detyrohet që t’i dorëzojë kriminelët serbë që kanë gjetur strehim atje, për të dhënë llogari para drejtësisë kosovare.
“Në njëvjetorin e këtij sulmi terrorist mbi shtetin e Kosovës, tashmë edhe pas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, edhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtare, Serbia duhet të detyrohet që t’i dorëzojë kriminelët serbë që kanë gjetur strehim atje, për të dhënë llogari para drejtësisë sonë”, shkroi Krasniqi.
“Afrimi, më shumë se zyrtar i Policisë së Kosovës, ishte një simbol i guximit, nderit dhe besnikërisë së palëkundur ndaj atdheut. Përballë rrezikut kundër terroristëve në Banjskë, ai qëndroi i vendosur për të mbrojtur tokën për të cilën kanë rënë mijëra dëshmorë ndër breza”, shtoi ai.
“Sot, krahas nderimit për Afrimin, shprehim respektin dhe mirënjohjen tonë më të thellë për familjen Bunjaku, dhembjen e së cilës e ndanë secili qytetar atdhedashës i shtetit tonë”.
“Kosova – e lirë dhe e përjetshme falë heronjve si Afrim Bunjaku. Lavdi!”, përfundoi Krasniqi.