Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të futbollistit të talentuar të FC Vushtrria, Erjon Morina.
Ademi tha se humbja e Erjonit ka prekur thellë jo vetëm komunitetin e futbollit, por edhe shoqërinë.
“Ikja e parakohshme nga kjo botë ka ndalur ëndrrat e tij rinore dhe karrierën e tij premtuese, duke lënë pas një boshllëk të madh në zemrat e të gjithë neve. Erjoni ishte një futbollist me plot pasion – ai ishte një djalë shembullor dhe i përkushtuar për realizimin e ëndrrave të tij, por Perëndia e deshi më herët afër vetes. Ndarja e tij na la të pikëlluar, por kujtimi për të mbetet i paharruar në zemrat e familjes, bashkëlojtarëve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të publikuar në ueb-sajtin e FFK-së.
“Në këto momente të vështira, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta në emrin tim personal, të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, të klubeve dhe të gjithë komunitetit të futbollit. Ne jemi pranë jush në këtë dhimbje të madhe. I përjetshëm qoftë kujtimi për Erjonin!”, është shprehur tutje Ademi.
Futbollisti Morina ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore, pasi kishte pësuar një sulm gjatë një seance stërvitore. /Gazeta Enigma