Albian Hajdari është futbollisti më i ri i Kombëtares së Kosovës dhe ai do të grumbullohet në muajin tetor, ku Dardanët do të luajnë ndaj Sllovenisë dhe Suedisë.
Qendërmbrojtësi i ri kosovar ka zgjedhur Kosovën duke u larguar nga Kombëtarja A e Zvicrës me të cilën ka zhvilluar një ndeshje miqësore.
Ishte fillimisht mediumi zviceran Blick që ka lajmëruar për zgjedhjen e Hajdarit dhe tani edhe presidenti i FFK-së, Agim Adem.
“Është një punë shumë e mirë që është bërë. Dua ta falënderojë Albianin për këtë vendim që është i natyrshëm, pasi ka zgjedhur vendin e vet, ka zgjedhur vendlindjen e prindërve të vet dhe fundi i fundit guri i rëndë peshon në të vet. Dua t’i falënderojë prindërit e Albianit që e kanë rritur me atdhedashuri djalin e tyre”.
“Albiani është një lojtar që ka të ardhme të ndritur dhe të gjithë jemi të lumtur që e kemi në radhët tona. Sigurisht thash që meritën më të madhe e kanë prindërit e tij dhe gjithë baballarët, nënat e familjarët e këtyre futbollistëve që i rrisin fëmijët me ndjenja patriotike për vendin e tyre”, tha Ademi për Telegrafin.
Javë më parë Ademi qëndroi në Hoffenheim, për të parë një ndeshje nga afër ku postoi një fotografi së bashku me Albian Hajdarin, Leon Avdullahun dhe Fisnik Asllanin.
Ai thotë se prej kohësh ka qenë në kontakt me babanë e Albionit, por ndikim kanë edhe dyshja Fisnik Asllani dhe Leon Avdullahu që janë shok të ngushtë me Albionin.
“Ne prej kohësh kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me babanë e Albionit. Gjatë asaj vizite që e kemi pasur në Hoffenheim i kemi prezantuar projektin tonë Albionit dhe sigurisht që ai është pjesë e rëndësishme e atij projekti dhe i ka pëlqyer. Gjithsesi punë të madhe kanë bërë edhe Fisnik Asllani dhe Leon Avdullahu që janë shok skuadre me Albionin dhe që të tre janë pjesë e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës”, vazhdoi tutje Ademi.
Ademi thotë se Hoffenheim tani është skuadra që pëlqehet më së shumti në Gjermani nga tifozët kosovarë.
“I kemi tre futbollistë tanë në Hoffenheim, por aty kemi biznesmenë kosovarë që janë sponsor te kjo skuadër. Sigurisht që gjithë tifozët kosovarë tani e përkrahin Hoffenheimin në Gjermani. Është një klub që kemi marrëdhënie të shkëlqyera si Federatë dhe jemi të lumtur që futbollistët tanë po lënë gjurmë aty”, vazhdoi tutje Ademi.
Krejt në fund i pari i futbollit kosovar tha se prurjet te Kosova do të vazhdojnë çdo muaj.
“Fatmirësisht kemi talente të mëdha nëpër gjithë Evropën. Jo vetëm Leoni e Albiani, por prurjet do të vazhdojnë çdo muaj te Kombëtarja A e Kosovës. Gjatë gjithë kohës kemi prurje të reja jo vetëm te Kombëtarja A, por edhe te grupmoshat dhe Kombëtarja e femrave. Kosova është në rrugën e duhur dhe urojmë që këta futbollistë të talentuar të shkëlqejnë me Kombëtaren tonë edhe në ndonjë Kampionat Botërorë ose Evropian”, përfundoi Ademi.