“Ferizajasit e mi të dashur, PO është gjithmonë përgjigja ime për ju, për ma të mirin Ferizaj!”
Kështu shkroi kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, teksa njoftoi se sërish do kandidojë për këtë pozitë në zgjedhjet lokale të tetorit.
“Pak më shumë se 100 ditë na ndajnë nga zgjedhjet lokale 2025. Përgjatë viteve të bashkëqeverisjes me ju, i dhamë Ferizajt atë që i takonte prej kohësh, atë që meriton çdo ferizajas, atë që ju i falët besimin e plotë e të palëkundur për ta bërë realitet atë që breza para nesh ëndërruan. Ne ecëm bashkë, ne bashkë e bëmë Ferizajn shembullin më kuptimplotë, kampion në çdo fushë të jetës, e ngjitëm në majën ku përket Ferizaj ynë”, shkroi Aliu.
“Ju më dhatë më të shtrenjtën e më të çmueshmen tuajën – besimin tuaj, duke më veshur me nderin e jashtëzakonshëm, privilegjin e papërsëritshëm, përgjegjësinë më krenare, t’ju shërbej ju, në çdo ditë të punës sime. Po, unë dhe ekipi im, jemi në punë, jemi çdo ditë me ju, bashkë ndajmë sukseset e sfidat, pa e ndalur asnjëherë hapin tonë për ta bërë gjithnjë më të mirën”.
“Është zëri juaj i sinqertë, është mbështetja e pamatshme dhe e gjithanshme e juaja, është dëshmia e prekshme e vizionit se një qytet mund të transformohet tërësisht për tu bërë model i Republikës, është thirrja juaj së cilës i kam thënë PO gjithnjë dhe i them PO sërish”.
“Për Ferizajn që pakrahasimisht rritet e zhvillohet çdo ditë, për Ferizajn e veprave identitare, për Ferizajn që e qeverisin ferizajasit me besimin e fjalën e tyre, për Ferizajn – dashurinë tonë të madhe për të cilën kemi nderin e detyrën t’i shërbejmë përulësisht”.
“Energjiplotë, pandalshëm, me punën dëshmitare, mirëpresim 12 Tetorin, fjalën tuaj që buron nga zemra, nga dashuria juaj për Ferizajn, nga i kristalti besim që nuk ndërtohet për një ditë, as për një fushatë zgjedhore, por që provat e dëshmitë i dha ndër vite”, përfundoi Aliu i PDK-së.