Agjencia për Informim dhe Privatësi i kërkon Molliqajt të fshijë postimin me numrin e ministrit Murati

Agjencia për Informim dhe Privatësi i kërkon Molliqajt të fshijë postimin me numrin e ministrit Murati

Agjencia për Informim dhe Privatësi, i ka kërkuar kreut të PSD-së, Dardan Molliqaj që të largojë nga Facebooku një postim ku ishte numri i ministrit Hekuran Murati.

Molliqaj në reagimin e tij ka thënë se ky është vendimi i dytë nga Agjencia për Informim dhe Privatësi ndaj PSD-së.

“Kam pranuar një vendim të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, ku kërkohet nga unë që ta largoj nga Facebook posterin me numrin e telefonit të ministrit Hekuran Murati. Ankesa në këtë Agjension është bërë personalisht nga ministri. Para më shumë se 1 viti, në kuadër të aksioneve tona politike, patëm reaguar kundër deklaratave të turpshme të ministrit Hekuran Murati. Ai në Facebook-un e tij kishte nënçmuar veteranët e UÇK-së dhe tërë luftën çlirimtare. Kishte thënë me tallje që “më lirë do të na kushtonte të angazhonim mercenarë” për ta çliruar Kosovën”, thotë ai.

Tutje, kreu i PSD-së thotë se “bindjet e tij karshi luftës çlirimtare po i shohim përditë”.

“I pamë edhe në seancën e turpit kur ministri dhe deputetët e pushtetit, larguan pensionin e veteranit nga paga minimale. Përmes ndërhyrjeve politike, Agjensioni për Informim dhe Privatësi merr vendimin e dytë kundër PSD-së. Fillimisht na dënuan me 20.000 euro gjobë për një aksion simbolik politik, tash të dytën herë marrin vendim kundër nesh sepse paskemi shqetësuar ministrin. Ndërhyrja politike brina nuk ka”.

Megjithatë, Molliqaj njofton se ka larguar postimin dhe se sipas tij ata tashmë e kanë arritur qëllimin e tyre.

“Na vjen mirë që nga aktiviteti ynë, ministri është shqetësuar. Ai ka qenë edhe qëllimi. Postimin e largova sepse këtë qëllim e kemi arritur, tash numrin e Hekuranit e ka secili. Këta e dinë, por po ua përsërisim, nuk do të mund të na ndalin”.

Related Articles