Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar sjelljen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti ndaj gazetares së televizionit Klan Kosova, Arbëreshë Uka.
AGK e ka quajtur sjelljen të papranueshme, duke e dënuar ashpër.
Gazetarja Uka e ka pyetur Kurtin për mungesën e barnave në QKUK, teksa ai i është përgjigur me ton arrogant, duke i thënë “lej ti albuminat. Thuj pronarit tuaj, televizionit tuaj le t’ia kthejnë 62 milionë Telekomit”.
“Kjo është një qasje e papranueshme e Kurtit ndaj medieve dhe gazetarëve, dhe përpjekje e hapur për të minuar punën e tyre, dhe për të fshehur mungesën e transparencës së qeverisë që ai ka udhëhequr në këto vitet e fundit”, thuhet në reagimin e AGK-së.
“Sulme si këto të Kurtit, qeverisë dhe partisë së tij, kanë kontribuar në masë të madhe që Kosova të bie drastikisht në indeksin e lirisë së medieve”, u tha tutje në reagim.