Një sërë foto-montazhesh janë shfaqur sot në mediat sociale, në të cilat shihen fytyra e disa prej gazetarëve kosovarë, përcjellur me mesazhe të sajuara, por, logo të vërteta të disa prej medieve kosovare, ka njoftuar AGK përmes një reagimi.
AGK-ja tha se e sheh këtë fushatë si “ekstremisht të rrezikshme” për gazetarët dhe mediet, dhe ftoi Policinë e Kosovës me Njësitin Kibernetnik, që “urgjentisht” të hetojë prejardhjen e postimeve të tilla dhe të parandalojë vazhdimin e publikimit të tyre.
“Disa prej gazetarëve të atakuar nga këto foto-montazhe janë: Vehbi Kajtazi, Valon Syla, Berat Buzhala, dhe të tjerë. Në to, zakonisht është përdorur rrejshëm logoja e medias së pavarur serbe nga Mitrovica Veriore, Kossev. Ndërkohë, linqet e supozuara të lajmit përfshijnë media si Zëri, Telegrafi, Kosova Sot, dhe të ngjashme”, thuhet në reagim. /Gazeta Enigma