Mediat e kanë bojkotuar konferencën që do të mbahej pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, këtë të mërkurë.
Kjo pasi gazetarët e akredituar për ta përcjellë mbledhjen, kanë pritur gati një orë për konferencën e paraparë.
Lidhur me këtë kanë reaguar edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Nga AGK-ja, kanë thënë se e përkrahin bojkotin e sotëm.
Kjo, për shkak që siç thonë kjo nuk është hera e parë që Qeveria vonon pa ndonjë shpjegim konferencat.
Reagimi i plotë:
AGK-ja e përkrah bojkotin e sotëm të gazetarëve ndaj Qeverisë
Gazetarët dhe kameramanët e medieve kosovare sot janë organizuar spontanisht për të bojkotuar konferencën për shtyp, pas Mbledhjes së Qeverisë. Gazetarët kanë pritur më shumë se 40 minuta për paraqitjen e dy ministrave të Qeverisë, Hekuran Murati dhe Arbërie Nagavci.
AGK-ja, përkrah kolegët gazetarë për veprimin e sotëm, pasi që kjo nuk është hera e parë që Qeveria vonon pa ndonjë shpjegim konferencat.
AGK-ja, gjithashtu i kërkon Qeverisë respektimin e punës së gazetarëve duke organizuar konferencat për shtyp, në një kohë të arsyeshme pas përfundimit të mbledhjeve. Qeveria duhet ta vendosë interesin publik në rend të parë, duke pranuar pyetjet e gazetarëve për vendimet që ajo i merr.