AGK-ja ndan çmimet për çrrënjosjen e varfërisë

AGK-ja ndan çmimet për çrrënjosjen e varfërisë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë ndarjen e “Çmimeve për raportimin më të mirë mbi Çrrënjosjen e Varfërisë”.

Për strojen më të mirë të shkruar Online u shpërblye Fitim Gashi nga Koha.net; video storien e shkurtër më të mirë, e fitoi Genta Zejnullahu nga TV Syri, përderisa storien për dokumentarin më të mirë televiziv e fitoi Vjosa Çerkini.

Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha tha se kjo ceremoni zhvillohet qe 16 vjet dhe se këtë vit kanë pasur 30 aplikimi nga gazetarët.

“Kjo është ceremoni qe 16 vjet. Qëllimi kryesor i raportimit të gazetarëve është ndryshimi i politikave sa i përket çrrënjosjes së varfërisë. Është bashkëpunim i frytshëm që ka sjellë në pah raportimet e gazetarëve. Edhe këtë vit ka pasur 30 aplikacione nga gazetarë. Ka pasur numër të madh të atyre që garojnë dhe është bërë punë më e madhe e gazetarëve për shkak të kushteve me pandeminë” ka thënë ai.

Ulrika Richardson koordinatore për Zhvillim të OKB-së në Kosovë, tha se gazetarët kanë nevojë për të raportuar fakte në mënyrë të vërtetë për të mbajtur të sigurt profesionalizimin.

Sipas saj, gazetarët janë ata që duhet të sjellin vëmendjen e publikut se cilat janë shqetësimet në Kosovë.

“Janë dy çështje me rëndësi se si kemi vërejtur qasjen ndaj fakteve të besueshme, se si është me rëndësi ky informacion sa i përket adresimit të problemeve. Kemi parë nevojën që gazetarët kanë pasur për të raportuar faktet në mënyrë të vërtetë për të mbajtur të sigurt profesionalizimin. Poashtu kohëve të fundit kemi parë gazetarë se si janë sulmuar. Gazetarët janë ata që duhet të sjellin vëmendjen e publikut se cilat janë shqetësimet në Kosovë siç është varfëria. Kosova ka varfëri ekstreme dhe është shqetësim serioz. Varfëria ekstreme mund të çrrënjoset” ka theksuar ajo.

Zana Cimili, anëtare e jurisë, tha se një grup i vogël i gazetarëve merren me temën e varfërisë.

“Kam pasur nderin të jem pjesë e Jurisë. Sot një grup i vogël i gazetarëve merren me temën e varfërisë. Numri i gazetarëve që do të trajtojnë këtë temë do të rritet. Një numër i grave gazetare kemi pasur këtë vit. E dimë që roli i medias ka rol qendror në informimin e politikave kur kemi të bëjmë me një temë të tillë siç është varfëria” ka deklaruar Cimili.

Përderisa gazetari Fitim Gashi, tha se ndihet i nderuar që është shpërblyer me çmimin për këtë kategori, duke shtuar se është munduar që të hedhë dritë mbi strehimin e komuniteteve joshumicë.

“Si zakonisht kategoritë më të prekura janë të komuniteteve joshumicë. Nëpërmjet stories jam munduar të hedhë dritë mbi strehimin. Ky shpërblim është nder i madh për mua” ka thënë ai.

Kurse gazetarja Genta Zejnullahu, tha se dukurit e tilla mund të mposhten vetëm duke raportuar për to.

“Inkurajoj gazetarët të mos ndalemi dhe kështu mund të mposhtim dukuri të tilla”përfundoi ajo. /Gazeta “Enigma“/

Related Articles