Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë thirrje për respektimin e punës së gazetarëve në ditën e zgjedhjeve.
“AGK, u bën thirrje politikanëve, zyrtarëve të lartë shtetërorë e partiakë, kandidatëve për kryeministra e deputetë, si dhe qytetarëve, që të respektojnë punën e gazetarëve dhe të mos ndërmarrin veprime që mund t’i pengojnë ata në kryerjen e detyrave të tyre”, thuhet në komunikatë.
“Secila përpjekje për të frikësuar, censuruar apo penguar gazetarët gjatë kryerjes së detyrave të tyre profesionale, është e papranueshme dhe cënon të drejtën e qytetarëve për informim të drejtë dhe në kohë reale”.
AGK-ja po ashtu u bëri thirrje të gjithë gazetarëve, kameramanëve dhe ekipeve mediale që të bartin me vete ID-të identifikuese të punës, ku tregohet se janë punonjës medialë, si dhe, nëse i kanë në dispozicion, t’i mbajnë të veshur jelekët me mbishkrimin PRESS.
“Ju inkurajojmë që të raportoni çdo incident dhe të mundshëm dhe të mbani komunikim të vazhdueshëm me redaksitë tuaja, si dhe me AGK-në. AGK do të jetë në dispozicion të anëtarëve të vet gjatë tërë ditës së zgjedhjeve dhe do të monitorojë nga afër sigurinë e gazetarëve në terren”.
“Çdo rast i cenimit të punës së gazetarëve mund të raportohet në: [email protected]”.
“Sulmet në drejtim të gazetarëve, janë sulme mbi lirinë e shprehjes, të drejtën e qytetarëve për t’u informuar, rrjedhimisht në demokracinë e vendit”, u tha në fund të komunikatës nga AGK. /Gazeta Enigma