Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka thënë se nuk ka dalë humbës në zgjedhjet e fundit lokale të Maqedonisë së Veriut.
Në një konferencë për media, ai ka deklaruar se humbës i këtyre zgjedhjeve ka dalë VLEN-i, partia tjetër e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Pse duhet të tërhiqem nga gara? Kush ka fituar? Humbësi duhet të tërhiqet, e jo fituesi. A i doni dokumentet? Shkoni në KQZ dhe i verifikoni, dhe nëse verifikoni për 25 vjet një humbje të Ali Ahmetit, atëherë hajdeni dhe flasim”, ka thënë Ahmeti.
I njëjti theksoi se zgjedhjet në fjalë ishin sikurse sindromi i Gazimestanit, duke thënë se ishin më shumë politike.
“Duhet përshëndetur për ato mangësi që i ka pasur si proces, por si tërësi ka shkuar mirë. Çfarë më ka bërë përshtypje në këtë proces, si dhe në proceset që i lamë pas, si në zgjedhjet parlamentare, ashtu edhe në ato presidenciale, është se edhe ky proces ka qenë më tepër politik sesa zgjedhje lokale, ku dominon sindromi i Gazimestanit: humbësi na del fitues”, ka thënë Ahmeti.
