Ajatollahu i Madh Ali al-Sistani, kleriku më me ndikim shiit në Irak, ka paralajmëruar se përshkallëzimi i konfliktit midis Izraelit dhe Iranit mund të dalë plotësisht jashtë kontrollit, duke shkaktuar kaos të gjerë dhe pasoja të rënda për gjithë rajonin.
Në një deklaratë të publikuar sot, al-Sistani dënoi “agresionin e vazhdueshëm ushtarak” ndaj Iranit dhe ndaj “udhëheqjes së tij fetare dhe politike”.
“Nëse ky konflikt vazhdon, mund të çojë në një situatë që del tërësisht jashtë kontrollit dhe shkakton kaos të përhapur, duke e shtuar vuajtjen e popujve të rajonit dhe duke dëmtuar interesat e të gjithëve në mënyrën më të rëndë”, theksoi ai.
Kush është al-Sistani?
Ajatollahu Sistani është një nga figurat më të rëndësishme në botën myslimane shiite. Ai ka luajtur rol kyç në çështjet fetare dhe politike në Irak, sidomos pas pushtimit amerikan të vitit 2003. Mijëra myslimanë shiitë në mbarë botën, veçanërisht në Irak, e ndjekin atë për udhëzime shpirtërore dhe juridike sipas ligjit islam.