Akademiku serb Dushan Teodoroviq ka folur në një emision televiziv në Serbi rreth propozimeve nga Franca e Berlini, duke thënë se atë që kanë çuar atje emisarët nuk “është një ofertë e pahijshme për Serbinë.
“Qytetarët (në Serbi), duhet të kuptojnë se Kosova ka shkuar në rrugën e saj dhe se kjo nuk është një ofertë e pahijshme, e cila nuk duhet pranuar menjëherë apriori. Duhet të organizohet një konferencë për Kosovën, të pranohet realiteti dhe gjëja e parë që duhet të definohet është momenti i hyrjes së Kosovës në OKB të jetë në të njëjtën ditë me hyrjen e Serbisë në BE”, tha Teodoroviq.
Sipas tij, kjo është mënyra si duhet t’u shpjegohet kjo cështje serbëve në Kosovë.
Akademiku serb tutje ka theksuar se Kosovën Serbia e ka humbur me luftë.
“Ne në Serbi duhet ta kuptojmë , sepse i duam ato histori, që në vitin 1389 çdo gjë ndodhi, kështu që deri në vitin 1912 Kosova ishte pjesë e Turqisë dhe pastaj ushtria serbe dhe malazeze e pushtuan në luftë. E humbëm në luftë. Për shkak të krenarisë sonë kombëtare është e vështirë për mua, i pari, ta them këtë, por këto janë faktet”
“Mbreti Aleksandar, Josip Broz Tito, Sllobodan Millosheviqi, Koshtunica, Gjingjiqi deri tek Aleksandar Vuçiq nuk u përpoqën ta zgjidhin problemin e Kosovës dhe ky problem ka qenë i pazgjidhshëm për mbi 80 vjet për një fakt të thjeshtë: shqiptarët e Kosovës nuk duan të jetojnë. me ne” ka theksuar Teodoroviq.
“Si e imagjinojmë tani t’i mbajmë me forcë, me luftë, ne e provuam luftën, por baza më e madhe e NATO-s, Bondsteel, është atje, a duam të luftojmë me NATO-n” ka theksuar ai.