AKK paralajmëron krizë financiare në komuna: 46 milionë euro u janë marrë deri më tani

AKK paralajmëron krizë financiare në komuna: 46 milionë euro u janë marrë deri më tani

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka paralajmëruar për një krizë të thellë financiare që po e godet pushtetin lokal, si pasojë e vendimeve gjyqësore të lidhura me kontratën kolektive të imponuar nga niveli qendror.

Ibrahimi tha se komunave të Kosovës u janë marrë mbi 46 milionë euro, ndërsa akuzoi Qeverinë për heshtje dhe mungesë përgjegjësie.

“Kjo është një padrejtësi e rëndë institucionale dhe financiare që po paralizon zhvillimin lokal. Kemi të bëjmë me një barrë të imponuar, të pa-negociuar nga komunat, por që duhet të paguhet prej tyre”, deklaroi Ibrahimi.

Komunat më të goditura financiarisht:

Prishtina – mbi 6.2 milionë euro

Ferizaj – rreth 6 milionë euro

Prizreni – mbi 4.8 milionë euro

Deçani – 3.2 milionë euro

Mitrovica – 2.4 milionë euro

Peja, Rahoveci, Vitia – mbi 2 milionë euro secila

Vushtrria – mbi 1.7 milionë euro

Skenderaj dhe Suhareka – mbi 1 milion euro secila

Ibrahimi ka theksuar se komuna e Ferizajit është në prag të bllokimit të plotë financiar, duke mos pasur mundësi të realizojë as pagesat bazike. Ai ka paralajmëruar se projeketet kapitale mund të ndalen, ndërsa qytetarët të mbesin pa shërbime jetike.

Kërkesat e Asociacionit të Komunave:

Krijimi i një fondi emergjent nga Qeveria për mbulimin e borxheve që nuk janë prodhuar nga vetë komunat.

Ndryshim rrënjësor i qasjes qeveritare ndaj pushtetit lokal.

Rishikim serioz i kontratës kolektive.

“Mosreagimi i mëtejshëm nuk është vetëm papërgjegjësi politike por është dëm i drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve të këtij vendi”, përfundoi Ibrahimi.

AKK i bën thirrje institucioneve qendrore që të marrin masa urgjente për të parandaluar një kolaps të pushtetit lokal në Kosovë.

Related Articles