Agjencia Kundër Korrupsionit është deklaruar lidhur me formularët për deklarimin e pasurisë së ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Rama-Hajrizaj dhe atë të deputetit Xhavit Haliti, raporton Gazeta “Enigma”.
Për formularin e Rama-Hajrizajt ku figuronte se e njëjta ka mbi gjashtë milionë euro para të gatshme në bankë, Agjencia ka thënë se s’është bërë lëshim nga ta, meqenëse formulari i deklarimit të pasurisë së dorëzuar në Agjenci është identik me të dhënat e publikuara në ueb faqen zyrtare.
“Sa i përket publikimit të deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë publik znj. Arta Rama-Hajrizi, formulari i deklarimit të pasurisë së dorëzuar në Agjenci është identik me të dhënat e publikuara në ueb faqen zyrtare të Agjencisë, e që nënkupton se Agjencia nuk ka bërë kurrfarë lëshimi sa i përket publikimit të të dhënave të deklaruara nga subjekti në fjalë”, thuhet në njoftimin e AKK-së.
Ndërkohë, për formularin e deklarimit të pasurisë së Xhavit Halitit, i cili dje tha se i është ngatërruar pasuria me ish-deputetin Xhavit Ukaj, Agjencia e ka drejtuar gishtin ka mediat.
Sipas AKK-së, në kohën kur është publikuar lajmi në media, formulari i pasurisë së Halitit s’ka qenë fare i publikuar.
“Ndërsa sa i përket deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë publik z. Xhavit Haliti, nuk ekziston asnjë lëshim apo gabim nga ana e Agjencisë sa i përket ngatërrimit të të dhënave të deklaruara të zyrtarit në fjalë me ndonjë zyrtarë tjetër.
Në rastin konkret, deklarimi i pasurisë për zyrtarin e lartë z. Haliti ende nuk ka qenë publik në kohën kur është publikuar lajmi në media lidhur me të dhënat e zyrtarit, pasi që regjistri i deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë z. Xhavit Haliti është publikuar në orën 10:59 datë 29.01.2021, ndërsa lajmi në media është publikuar në mëngjesin e të njëjtës datë. Kjo nënkupton se regjistri i deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë z. Haliti, është bërë publik pas pranimit të informatës”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.