AKKVP mohon deklaratat e Petkoviqit: Përpjekje për politizim dhe dezinformim

AKKVP mohon deklaratat e Petkoviqit: Përpjekje për politizim dhe dezinformim

Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP) ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të zëdhënësit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, lidhur me një rast pronësor në veri të Kosovës.

Në reagimin zyrtar, AKKVP thekson se pretendimet e Petkoviq janë të pavërteta dhe përbëjnë një përpjekje të rrezikshme për politizimin e çështjeve pronësore dhe përhapjen e dezinformatave.

Agjencia sqaron se rasti për të cilin bëhet fjalë ka të bëjë me pronën e familjes Ferki Shipolli, e cila është trajtuar qysh në vitin 2005. Në atë kohë, është vërtetuar se pala është posedues ligjor i pronës dhe vendimi është i formës së prerë.

“Rikthimi i pronës është realizuar përmes procedurave të rregullta ligjore dhe zbatohet ndaj çdo forme të uzurpimit të paligjshëm, pa dallim përkatësie etnike apo statusi të palës,” thuhet në reagim.

AKKVP konsideron se deklaratat e Petkoviq nuk ndihmojnë në qartësimin e situatës, por përkundrazi nxisin tensione dhe minojnë sundimin e ligjit dhe përpjekjet për bashkëjetesë.

Agjencia shpreh përkushtimin e saj për të vazhduar zbatimin e drejtë, të barabartë dhe ligjor të mandatit që i është dhënë.

Related Articles