Mbrëmjen e kësaj të hëne ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku në Podujevë, si pasojë e të cilit ka vdekur një person dhe katër të tjerë janë lënduar, raporton Gazeta “Enigma”.
Lajmin për Gazetën “Enigma” e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila bëri të ditur se në këtë aksident janë përfshirë një veturë dhe një kamion në lëvizje, ndërkaq më pas janë goditur rrethojat e një objekti dhe disa automjete të parkuara.
“Sot rreth orës 17:30 kemi pranuar informatën se në rrugën “Skënderbeu” në Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident ka qenë e përfshirë një veturë dhe një kamion në lëvizje, më pas janë goditur rrethojat e një objekti dhe disa automjete të parkuara”, tha ajo.
Tutje Ahmeti ka theksuar se “në këtë aksident ngasësi i kamionit ka humbur jetën dhe janë lënduar katër persona të tjerë. Vdekja e viktimës është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendngjarje dhe trupi i pajetë është dërguar për obduksion, ndërkohë që personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor. Me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal”. /Gazeta Enigma/