Aksident me fatalitet në Ramnishtë të Vitisë, vdes 70-vjeçari

Aksident me fatalitet në Ramnishtë të Vitisë, vdes 70-vjeçari

Një 70-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në rrugën Viti – Ramnishtë.

“Sot, më 28.05.2026, rreth orës 08:30, në rrugën Viti – Ramnishtë, ka ndodhur një aksident trafiku ndërmjet dy veturave. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Trafikut Rajonal, ndërsa sipas hetimeve të para, lëndime trupore kanë pësuar të dy drejtuesit e automjeteve, të cilët janë banorë të Komunës së Vitisë”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

“Si pasojë e aksidentit, njëri prej tyre ka pësuar lëndime të rënda trupore. Të lënduarit janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal në Gjilan për trajtim mjekësor. Personi i lënduar, rreth 70-vjeçar nga fshati Lubishtë i Komunës së Vitisë, përkundër përpjekjeve të mjekëve dhe trajtimit të ofruar në Spitalin e Gjilanit, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë”.

Hashani tha se hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit janë duke u zhvilluar nga hetuesit rajonalë të aksidenteve të trafikut të Policisë së Kosovës në Gjilan.

“Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që ndaj drejtuesit tjetër të automjetit të caktohet masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa trupi i pajetë i viktimës të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”.

Related Articles